Frank Lampard insiston se nuk ka besuar kurrë se është njëri nga më të paprekshmit tek Anglia. Mesfushori i Chelseas u kthye në formacionin bazë të Fabio Capellos të martën mbrëma, në fitoren e ‘Three Lions’ me rezultat minimal 1:0 ndaj Uellsit në Wembley.
33 vjeçari thotë se nuk do ta kishte problem nëse trajneri italian e lë jashtë ekipit të parë, siç bëri javën e kaluar ndaj Bullgarisë. “Njerëzit mendojnë se lojtarët presin të luajnë në çdo ndeshje, por ne nuk mendojmë kurrë ashtu. Ne të gjithë jemi profesionistë dhe dëshirojmë të arrijmë suksese individuale e grupore, të cilën gjë duam ta bëjmë për Anglinë”, deklaroi mesfushori anglez.
“Nuk është problem edhe nëse mbetem në bankinë tek Anglia. Jam munduar të jem i distancuar dhe të mos bëhet bujë. E kam mbajtur kokën poshtë dhe kam mbetur i koncentruar. Jam mjaft i nderuar të luaj dhe do të luaj aq sa do të mund të jap kontribut për Anglinë”, vazhdoi ish futbollisti i West Hamit.
Lampard e sheh pozitive futjen e disa lojtarëve të rinj në Kombëtaren angleze, si Young, Wilshere, Downing, Smalling e Jones, për të cilët mendon se do ta përmirësojnë ekipin e Fabio Capellos para Evropianit 2012.